10 Dec 2018

Njihuni me Anëtarin Tonë – KOSTT sh.a.

Njihuni me Anëtarin Tonë – KOSTT sh.a.
KOSTT sh.a. është Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut të energjisë elektrike në Kosovë, kompani publike me 100% aksione shtetërore. Kompania operon në bazë të dy licencave të lëshuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji për operimin e sistemit të transmetimit dhe të tregut të energjisë elektrike në Kosovë.

KOSTT menaxhon Sistemin e Transmetimit të Republikës së Kosovës në nivelet e tensionit 400 kV, 220 kV dhe 110 kV, përfshirë transformatorët e lidhur me rrjetin e shpërndarjes. Falë pozitës qendrore gjeografike të Kosovës, sistemi i transmetimit i operuar nga KOSTT përfaqëson një hallkë të rëndësishme në rrjetin e transmetimit të energjisë në Evropën Juglindore. Rrjeti përfshin 1324 km linja të tensionit të lartë dhe shtatë linja ndërkufitare që lidhin Kosovën me shtetet fqinje. Paralelisht, KOSTT ka zhvilluar edhe rrjetin optik OPGW me gjatësi mbi 1100 km.

Misioni i KOSTT është të ofrojë shërbime cilësore përmes avancimit teknologjik, të sigurojë transparencë dhe mosdiskriminim për përdoruesit e sistemit në tregun konkurrues të energjisë, si dhe të avancojë pozicionin e kompanisë në nivel ndërkombëtar. Aktivitetet e planifikuara përfshijnë planifikimin ditor të sistemit, balancën vjetore të energjisë dhe menaxhimin në kohë reale të operimit të sistemit.

Në kuadër të Përgjegjësisë Shoqërore Korporative, KOSTT ka realizuar projekte të rëndësishme në mbështetje të komuniteteve, veçanërisht në komunat përgjatë linjës 400 kV Kosovë–Shqipëri. Mbështetja ka përfshirë investime në infrastrukturë shkollore, përmirësim të nyjeve sanitare, rregullim të terreneve sportive, ndriçim publik, rrjet ujësjellësi dhe infrastrukturë lokale në komuna si Obiliq, Vushtrri, Drenas, Malishevë, Rahovec, Gjakovë, Deçan dhe Junik.

KOSTT ka mbështetur gjithashtu produktet dhe artin lokal, duke promovuar zhvillimin vendor dhe duke ruajtur komunikim të vazhdueshëm me palët e interesit.

Si anëtare e Rrjetit CSR Kosova që nga themelimi i tij në vitin 2011, KOSTT ka integruar politika të përgjegjshme biznesi në politikat e brendshme dhe aktivitetet e saj operative. Rrjeti ka ndikuar në rritjen e ndërgjegjësimit të kompanive për praktikat e CSR dhe në fuqizimin e angazhimit të tyre në shërbim të komunitetit.
Ndaj artikullin: